VOA DHE SHQIPËRIA: VITI 1990 NË "ZËRIN E AMERIKËS"

Read full text
Authors: Afrim Krasniqi
Cited by: 0

Abstract

Botimi ka në fokus materialet e prodhuara dhe të transmetuara nga VOA, por, në të vërtetë, ai është shumë më i gjerë pasi VOA përdori si metodë pune referimin e çdo botimi, artikulli dhe raportimi të rëndësishëm të institucioneve dhe mediave perëndimore për Shqipërinë. Në vëllim gjenden artikujt, komentet dhe reportazhet e gazetarëve të njohur të mediave amerikane, britanike, gjermane, austriake dhe italiane, të cilët mbulonin Shqipërinë dhe në tërësi Ballkanin. Brenda tij paralelisht gjenden raportime të shumta për zhvillimet në Kosovë dhe në Jugosllavi, pasi në gjykimin tim, të gjitha ato lidhen me zhvillimet në Shqipëri dhe ndikojnë te njëra-tjetra, jo vetëm në aspektin politik, por edhe kronologjik. Perceptimi i njëanshëm i Shqipërisë së vitit 1990 si një ishull i veçuar me zhvillime që kërkojnë domosdoshmërisht shpjegim brenda saj, nuk ndihmon për të krijuar një pamje të plotë të tyre, ndaj edhe perceptimi në një format më të gjerë, më përfshirës, më krahasues dhe i bazuar në ngjarjet e prirjet politike të kohës, vlerësoj se është më efektiv për një qasje dhe analizë profesionale. Siç shihet nga raportimet e VOA-s, pothuajse të gjitha zhvillimet e brendshme reflektojnë ato të jashtme sa krijohet përshtypja e një Shqipërie politike dhe qytetare që krijon, por në fakt imiton në formën e vet të tjerët. Botimi sjell në vëmendje kontributet dhe qëndrimet publike e politike të përfaqësuesve më të njohur të inteligjencies në botën shqiptare, përfshirë ata në emigracionin shqiptar në SHBA dhe në disa vende perëndimore. Pjesë e tij janë edhe dëshmitë e disa refugjatëve të larguar në korrik të 1990-s me krizën e ambasadave, pjesa më e madhe e të cilave nuk janë bërë gjerësisht të ditura për publikun gjatë tranzicionit. Dokumentet nuk reflektojnë vetëm politikën, por edhe ekonominë, kulturën, fenë, historinë dhe elemente të tjera me rëndësi për një pamje sa më të plotë të Shqipërisë, e parë nga jashtë më 1990. Për të qenë sa më afër origjinalitetit janë bërë përpjekje për të evidentuar sa është e mundur në origjinal emrat e gazetarëve kryesorë perëndimorë dhe individëve të huaj të cituar në dokumentacionin e këtij botimi, të cilët, të përkthyer nga zëri në audio në të shumtën e rasteve kanë pasur pasaktësi në formë e përmbajtje, si dhe për disa prej tyre jepen të dhëna të përmbledhura biografike me interes për lexuesin dhe opinionin e sotëm në Shqipëri.

Fields of Study & Subjects

Balkans: History Politics Society European Politics and Security Post-Soviet Geopolitical Dynamics

Publication details

Publication date
5 February 2026
Language
SQ