Gjetje të reja të monedhave romake në Vërban të Kllokotit
Abstract
Në lokalitetin arkeologjik në Vërban të Kllokotit, afër Vitisë së Kosovës vazhdimisht gjenden artefakte të periudhës romake dhe bizantine. Më herët në këtë lokalitet janë gjetur një varg reliktesh nga periudha romake, në mesin e të cilëve pa dyshim vend të veçantë zë busti prej mermeri i “Zonjes Dardane”, i cili paraqet një femër nga shtresat aristokrate dardane me veshje karakteristike ilire dhe me stoli karakteristike ekskluzivisht për gratë dardane. Gjatë pranverës dhe vjeshtës të viteve 2023 e 2024 gjatë punimeve bujqësore si zbulime rasti janë gjetur një numër i konsiderueshëm monedhash, që i përkasin periudhës të sundimit romak në Kosovë prej shekullit IIo deri në gjysmën e dytë të shekullit VIo të erës sonë, respektivisht kohës së perandoreshave Faustina Maior (bashkëshortja e perandorit Antoninus Pius, 138-140) e Sallustia Orbiana (bashkëshortja e perandorit Severus Alexander, 225-227) dhe të perandorëve: Septimius Severus (193-211), Geta (209-211), Gordianus IIIo (238-238-244), Philippus Io (244-249), Trebonianus Gallus (251-253), Volusianus (251-253), Gallienus (253-268), Aurelianus (270-275), Diocletianus (284-305), Constantinus Io (306-337), Constantius Gallus (326-354), Constantius IIo (337-361),Valentinianus Io (364-375), Valens (364-378) dhe të perandorit bizantin Justinianus Io (527-565). Në averse të këtyre monedhave janë paraqitjet e portreteve të perandorëve, ndërsa në reversë paraqitën figurat e perandorëve por edhe të hyjnive: Sol (hyj i Diellit), Annona (hyjneshë e lidhur me hyjneshën Ceres, dhe personifikim hyjnor i shpërndarjes së drithit popullit romak), Ceres (Cerera, hyjneshë kjo e bujqësisë dhe e pjellorisë), Securitas (hyjneshë e sigurisë së shtetit), Concordia (hyjneshë e harmonisë), Roma (hyjneshë e cila e personifikonte qytetin e Romës) e Victoria (hyjneshë me flatra e fitores, më së shpeshti e paraqitur në reverse të monedhave romake), paraqitjet e kafshëve të ndryshme ose shkronjat e mëdha që tregojnë vlerën nominale të monedhës si në rastin e follisit të kohës së perandorit Justiniani Io. Monedhat janë të punuara prej argjendi e prej bronzi dhe i përkasin llojeve të ndryshme. Në mesin e tyre ka monedha të llojit: denarius, sestertius, antoninianus, antoninianus të reformuar me rastin e reformave të perandorit Caracalla (198-217), pastaj monedha prej bronzi të llojit nummus, follis, follis i reduktuar e poashtu edhe solidus i reformuar me rastin e reformave të perandorit Constantinus Maximus (Kostandini i Madh, 306-337), imitime prej bronzi të monedhave prej argjendi si dhe monedhat përkujtimore dhe monedha e ashtuquajtur „limes denarius“ që ishte imitim i denariusit të argjedtë zyrtar, e punuar për paga të njësiteve ushtarake të stacionuara në provincat danubiane. Në bazë të te dhënave nga mbishkrimet që janë në ekserge (segmente) të këtyre monedhave kuptohet se ato ishin prerë në punëtoritë qëndrore monedhëprerëse të Romës, por edhe nëpër punëtori monehdëprerëse provinciale: në Viminacium (Mezi e Epërme, Kostollac i sotëm në Serbi), Romë (Itali), Ticinum (Pavia, Itali), Lugdunum (Lion, Francë), Antiochia, Constantinopolis (Turqi), Thessalonica (Greqi).
Fields of Study & Subjects
Classical Antiquity Studies
Ancient Mediterranean Archaeology and History
Archaeological and Historical Studies
Publication details
- Journal / source
- Kosova
- Issue
- 50
- Pages
- 13–39
- Publication date
- 2 February 2026